Policia e Shtetit
Vijon intensivisht puna për parandalimin dhe goditjen e rasteve të abuzimit online ndaj fëmijëve.
Finalizohet operacioni i koduar “Gjurmët Digjitale”.
Identifikohet, kapet dhe ndalohet një shtetas, për pornografi me të mitur.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjurmët Digjitale”, si pjesë e punës së pandërprerë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale që cenojnë të miturit në hapësirën digjitale.
Në kuadër të hetimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i një shtetasi të përfshirë në qarkullimin e materialeve të ndaluara, dhe si rezultat u ndalua shtetasi I. M., 24 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Pornografi me të mitur”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, u gjetën dhe u sekuestruan pajisje elektronike, në të cilat u gjetën materiale me përmbajtje pornografike ku përfshiheshin të mitur.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik i bën thirrje qytetarëve dhe sidomos të rinjve:
Ndërpriteni menjëherë çdo formë ruajtjeje, shpërndarjeje apo qarkullimi të materialeve pornografike me të mitur.
Kjo është një vepër penale e rëndë, e cila dënohet deri në 10 vite burg. Ruajtja apo shpërndarja, edhe pa qëllim fitimi, përbën krim. Mos mendoni se veprimet online janë të padukshme – çdo klikim lë gjurmë dhe çdo shkelës i ligjit do të përballet me drejtësinë.
Për të gjithë të miturit që ndihen të shantazhuar, kërcënuar apo abuzuar në internet:
️ Mos heshtni! Flisni! Drejtohuni menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.
Ne jemi këtu për t’ju mbrojtur, përkrahur dhe për të ndëshkuar autorët që përpiqen t’ju dëmtojnë. Heshtja mbron autorët, jo viktimat.
Operacioni “Gjurmët Digjitale” është një tjetër dëshmi e qartë e angazhimit të Policisë së Shtetit për të krijuar një mjedis të sigurt për fëmijët dhe për të mbrojtur të ardhmen e shoqërisë nga krimet që zhvillohen në botën digjitale.