Lëvizja e lirë në vendet e hapësirës Schengen

Shtetet për të cilat nuk kërkohet vizë:

Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër, Lihteshtein, San Marino.

Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen. Për rrjedhojë rregullat e reja nuk aplikohen në këto shtete. Për informimin mbi kërkesat e hyrjes në këto dy shtete, qytetarët shqiptarë duhet të kontaktojnë Seksionin Konsullor të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë dhe Ambasadën e Irlandës në Greqi.

Përllogaritja e kohës së qëndrimit të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen Qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Schengen, maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes, brenda një periudhë kohore prej gjashtë muaj (180 ditë).

Si përllogariten periudhat gjashtëmujore të lëvizjes në hapësirën Schengen?

Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon që nga momenti kur hyhet për herë të parë në zonën Schengen. Për shembull, nëse hyrja për herë të parë në zonën Schengen është bërë më datë 10 janar, periudha gjashtëmujore e parë përfundon më 10 korrik dhe periudha e ardhshme fillon më datë 11 korrik. Nëse kjo periudhë e parë do të fillonte në një datë tjetër si p.sh. 15 shkurt, periudha e ardhshme gjashtëmujore do të fillonte më 16 gusht.

Interpretimi i ditës së fundit të gjashtëmujorit të parë ka shumë rëndësi për çdo shtetas, edhe kur shtetasi gjatë gjithë kësaj periudhe qëndron vetëm një ose dy javë. Pra ku duhet ta gjejë shtetasin dita e fundit e gjashtëmujorit.

Në do rast, shtetasi që mbush kohën prej 90 ditësh qëndrimi në hapësirën Schengen dhe dita e fundit e periudhës gjashtëmujore është data 15 shkurt, brenda orës 24.00 të kësaj date duhet të kthehet në Shqipëri.

Periudha gjashtëmujore që llogaritet për numërimin e 90 ditëve nuk është një periudhë kalendarike. Kështu nëse hyhet për herë të parë në hapësirën Schengen më 5 dhjetor, periudha gjashtëmujore mbaron më 5 qershor të vitit të ardhshëm.

Nëse një shtetas udhëton disa herë në hapësirën Schengen dhe brenda një gjashtëmujori qëndron gjithsej 45 ditë, kjo nuk do të thotë se 45 ditët e tjera që nuk u shfrytëzuan, të transferohen për llogari të gjashtëmujorit tjetër.

Nëse, për arsye të ndryshme bëhen disa udhëtime afatshkurtra në zonën Schengen, është kusht që kohëzgjatja e gjithë udhëtimeve të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).

Mosrespektimi i ditëve të qëndrimit (90 ditë), përbën shkelje të legjislacionit të Schengenit dhe policitë kufitare të kësaj zone aplikon penalizime që arrijnë në gjoba deri në 600 euro për person. Kjo gjobë është e detyrueshme të paguhet brenda një afati të caktuar mbasi në të kundërt, aplikohen penalizime të tjera si ndalim hyrje për 5-10 vjet.

A mund të shfrytëzohet lëvizja e lirë në hapësirën Schengen për të jetuar dhe punuar?

Lëvizje e lirë në hapësirën Schengen nuk u jep të drejtën qytetarëve shqiptarë për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar, apo për të kërkuar azil, në këto shtete. Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë.

Kërkesat ndaj shtetasve shqiptarë për të udhëtuar lirisht drejt të hapsirës Schengen

  1. Të jetë i pajisur me pasaportë biometrike.
  2. Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.
    1. Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor) si dhe të ardhurat financiare që ka ai me vete.
    2. Kur deklarohet se udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.
    3. Kur deklarohet se udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet.
    4. Kur deklarohet se udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj. Ka vende ku si dokument bindës për autoritetet e kufirit është edhe një ftesë nga familja pritëse e cila mund të jetë e firmosur nga autoritetet komunale. Kjo kërkohet kryesisht në ato raste kur vizitori paraqet dyshime për qëllimin e udhëtimit.
    5. Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë: siguracionin shëndetësor (për periudhën e qëndrimit) dokumentacionin e nevojshëm të makinës, nëse udhëtohet me makinë (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbërt sigurimi ndërkombëtar të makinës).
    6. Mjetet e udhëtimit (bileta avioni, trageti,etj.)
    7. Mjetet e jetesës gjatë qëndrimit në zonën Schengen
      1. Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose transitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli.
  3. Shtetasi nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.
  4. Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.
    1. Nëse për çdo njërin shtetas është marrë një vendim nga autoritetet administrative kufitare apo ato gjyqësore të qoftë edhe njërit nga vendet e hapësirës Schengen për t’i ndaluar hyrjen në atë vend, dhe ky informacion është hedhur në sistemin SIS, ky person nuk mundet dhe nuk do lejohet të hyjë në asnjë nga këto vende; pra do të prapësohet, me të mbërritur në pikën e kalimit të kufirit të vendit të parë të hapësirës Schengen. Vendimet për të ndaluar hyrjen, janë kompetencë e këtyre autoriteteve. Këto vendime merren për raste, të cilat i ka përcaktuar Kodi Schengen, dhe që janë:
      1. kur personi është dënuar për një vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënim minimal 1 vit burg.
      2. kur personi ka qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë (deportimi, kthimi apo dëbimi), që kryesisht zbatohen për raste të qëndrimit të paligjshëm.
      3. kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë.
    2. Vendimet të tilla, në të gjitha rastet u komunikohen me shkrim të interesuarve. Dhe kjo masë nuk hiqet automatikisht me mbarimin e kësaj periudhe. Kurdoherë, kur shtetasit e mbyllin këtë periudhë penalizimi disa vjetore, duhet që mbi bazën e vendimit të dhënë dhe me ndihmën e një avokati, t’u kërkojë autoriteteve të shtetit përkatës heqjen nga sistemi SIS të masës së ndalimit.
    3. Në raste të veçanta, kur konstatohen zvarritje administrative dhe dokumentacioni i shtetasit është i rregullt, MPJ nëpërmjet përfaqësisë diplomatike mund të kërkojë informacion pranë autoriteteve kompetente të vendit përkatës, me qëllim sqarimin dhe lehtësimin e situatës së shtetasve shqiptarë.
  5. Për minorenët, nëse nuk janë të shoqëruar nga të dy prindërit, kërkohet të respektohen kushtet e lëvizjes sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kujtesë

Çdo udhëtar duhet të ketë parasysh se:

  • Autoritetet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen në zonën Schengen.

Çfarë ndodh nëse qytetarët shqiptarë shkelin rregullat e qëndrimit

Në hyrje dhe gjatë qëndrimit në vendet e BE-së, qytetarët shqiptarë duhet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla.

Nëse do t’i shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1-5 vjet. Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë nga 600 deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatën e vonesës.

Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin:

  • Së pari, nuk duhet të shkelet afati i lejuar për qëndrim që është 90 ditë brenda 180 ditëve.
  • Së dyti, nuk duhet të shkelet legjislacioni vendas, kryesisht ai mbi punësimin. Pra, nëse kapesh duke punuar pa dokumentacion te rregullt bëhesh subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
  • Së treti, nuk duhet të bëhesh problem për sigurinë publike, apo të përfshihesh në aktivitete kriminale.
  • Së katërti, nuk duhet të bëhesh barrë publike (person që nuk ke të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore).

Të gjitha kërkesat që përmenden më lart mbi hyrjen dhe qëndrimin në zonën Schengen janë kushte që aplikohen për të gjithë të huajt në BE.