Konkurrimi i hapur dhe transparent për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, plotësohen 100 kuotat për pranim në Akademinë e Sigurisë
Policia e Shtetit zhvilloi gjatë muajve korrik dhe gusht 2024 procesin e konkurrimit dhe regjistrimit të aplikantëve për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, për vitin akademik 2024-2025, në Akademinë e Sigurisë.
Procesi i konkurrimit u hap për 150 kuota të lira, nga të cilat:
a) 100 kuota për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë;
b) 50 kuota për punonjësit e rolit bazë, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Hapja e fazës së konkurrimeve për 100 vende ishte e dedikuar për shtetasit, të cilët sapo kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe aplikimi u realizua vetëm nëpërmjet portalit U-Albania. Kjo ishte një risi për Policinë e Shtetit, pasi prej mëse 18 vitesh procesi i pranimit të kësaj kategorie ka qenë i mbyllur, për shkak të ndryshimit të procesit të arsimit policor.
Gjatë këtij viti, procesi i pranimit në Akademinë e Sigurisë ka qenë i gjatë dhe ka kaluar nëpërmjet sensibilizimit të të rinjve në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Drejtues të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë kanë qenë të pranishëm në shkollat e mesme, ndërsa janë realizuar edhe fushata informuese në kuadër të “Javës së punësimit në administratën publike” apo në panaire të profesionalizuara.
Për menaxhimin sa më të mirë të këtij procesi, bazuar në parimet e transparencës, meritokracisë, shanseve të barabarta dhe mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar një sërë aktesh administrative, nëpërmjet të cilave janë përcaktuar Komisioni i Pranimit, Komisionet e Vlerësimit, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, si dhe hapat që do të ndiqen gjate gjithë procesit, në përputhje të plotë dhe me Urdhrin e përbashkët të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, datë 05.07.2024 “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, viti akademik 2024 – 2025”.
Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë, në mënyrë të detajuar, ndoqën këto faza:
1 – Gjatë procesit të aplikimit në portalin U-Albania rezultoi se kanë përzgjedhur programin e studimit “Siguria dhe hetimi”, 1156 aplikantë.
2 – Në fazën e regjistrimit paraprak janë paraqitur në Akademinë e Sigurisë 193 prej tyre.
3 – Aplikantët, sipas procedurave standarde, iu nënshtruan procesit të testit fizik, intervistës dhe testit psikologjik, ku morën pjesë 186 aplikantë.
4 – Komisioni i Pranimit ka bërë renditjen për 186 aplikantët, sipas rezultateve në rend zbritës (Pikët e përftuara si shumatore e mesatares, që përbën 50% të rezultatit të përgjithshëm, testit fizik që përbën 30% të pikëve dhe intervistës e testit psikologjik që përbën 20% të pikëve).
5 – Të gjithë aplikantët, pas përfundimit të procesit të testimit, u verifikuan për t’u siguruar që ata apo të afërm të tyre nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale, si një detyrim ligjor për pranim në Policinë e Shtetit. Ky proces u zhvillua nga strukturat vendore të policisë ku aplikanti ka vendbanimin dhe në përfundim të tij u skualifikuan 16 aplikantë.
6 – Sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, më datën 29.08.2024, Komisioni i Pranimit shpalli në portalin U-Albania dhe në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, listën paraprake të rezultateve sipas rendit zbritës, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre të maturës, ku u kualifikuan 144 aplikantë, ndërkohë që u skualifikuan 49 aplikantë (193 ishin regjistrimet paraprake, pika 2).
7 – Aplikantët ushtruan të drejtën e ankimimit, referuar Urdhrit të përbashkët të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, datë 05.07.2024 “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, viti akademik 2024 – 2025”, si dhe procedurave standarde të punës. Në përfundim të shqyrtimit të ankesave, 21 aplikantë u kualifikuan për të qenë pjesë e procesit.
8 – Komisioni i Pranimit, pas përfundimit të procesit të ankimimit, kualifikoi 165 aplikantë, të cilët kaluan me sukses fazat e testimit, verifikimit e kontrollit dhe bëri rishpalljen e listës së re të rezultateve në portalin U-Albania dhe në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.
9 – Më datën 30.08.2024 ka filluar procesi i regjistrimit përfundimtar të aplikantëve dhe në fazën e parë të regjistrimit në datat 30-31 Gusht 2024, u bë plotësimi i kuotave, duke regjistruar 100 aplikantë në rend zbritës, të cilët kanë rezultuar fitues në të gjitha fazat. Vetëm 2 aplikantë nuk u paraqiten nga aplikantët e renditur në numrin rendor 1-100 e për pasojë regjistrimi vazhdoi me aplikantët e renditur në numrin rendor 101 dhe 102.
Për shkak të specifikës nga universitetet e tjera, kritereve të veçanta dhe detyrimeve ligjore që mbart procesi i pranimit në Policinë e Shtetit dhe në Akademinë e Sigurisë, si pjesë e saj, vlen të theksohet:
1 – Në ndryshim nga Institucionet e tjera të Arsimit të Lartë, Policia e Shtetit përveç renditjes së aplikantëve sipas rezultatit të arritur në proceset e testimit, bën edhe verifikimin e besueshmërisë, krahasimin e gjurmëve daktiloskopike, si dhe kontrollin shëndetësore për t’u siguruar që aplikantët pavarësisht rezultatit, plotësojnë kriterin e besueshmërisë, nuk janë përdorues të lëndëve narkotike, nuk janë përhapës të sëmundjeve ngjitëse, janë të aftë mendërisht dhe janë të aftë për të kryer detyrat si punonjës policie.
Për këtë shkak, në ndryshim nga institucionet e tjera, lista paraprake e shpallur me datën 29.08.2024 me 144 aplikantë ndryshon, jo vetëm në numër, por edhe në renditje me listën e rezultateve përfundimtare, pasi asnjë universitet tjetër nuk aplikon procesin e verifikimit e për pasojë dhe atë të ankimimit.
2 – Të 186 aplikantët, të cilët kanë qenë pjesë e testimit, janë vlerësuar me pikë sipas të njëjtave kritereve, pavarësisht se një pjesë e tyre janë skualifikuar në fazën e parë për kriteret shëndetësore apo mosplotësim të kritereve të besueshmërisë.
3 – Procesi i ankimimit nuk ka ndryshuar pikët e përftuara nga aplikantët gjatë procesit të testimit, por ka rivlerësuar në bazë edhe të rekomandimeve të Qendrës së Profilaksi-Mjekimit se për shkak të moshës së ulët (18 vjeç), një pjesë e tyre rikuperojnë plotësisht parametrat e kërkuara.
4 – Aplikantët e kualifikuar, pas procesit të ankimimit, janë renditur në listë nga Komisioni i Pranimit sipas pikëve të marra që në fazën e testimeve, gjë që sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe ndryshimin e renditjes së aplikantëve në listën paraprake.
Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit zhvillohet për herë të parë nëpërmjet sistemit U-Albania dhe është një sukses që dëshmon rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te Policia e Shtetit, si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme nga Ministria e Brendshme dhe Qeveria.