Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë bashkëpunimit të Policisë me qytetarët, identifikohet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
Gjatë operacionit, 41-vjeçarit iu gjet në banesë edhe një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë luftarakë.
Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, efektivët e Policisë të Komisariatit Nr. 5 Kamëz, si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin, falë informacioneve të marra se në qytetin e Kamzës po levizte me armë zjarri pistoletë një shtetas, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Si rezultat i reagimit të shpejtë, në vendin e quajtur “Frutikulturë”, në rrugën “Pandeli Sotiri”, Policia identifikoi dhe lokalizoi personin e dyshuar, të cilit gjatë kontrollit fizik , Policia i gjeti me vete një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë.
Më pas, operacioni ka vijuar në banesën e tij, ku gjatë kontrollit Policia gjeti edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë luftarakë.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 41 vjeç, lindur në Laç, Mat dhe banues në zonën e quajtur “Frutikulturë”, i dënuar me parë.
Armët dhe municionet e sipërpërmendura u sekuestruan në cilesinë e provës materiale dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.