Pas marrjes së njoftimeve për dy raste të ndryshme, në Palasë dhe Qeparo, ku turistë që udhëtonin me kanoe nuk po mund të ktheheshin në breg për shkak të dallgëve të forta si pasojë e përkeqësimit të motit, shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi dhe Himarë organizuan menjëherë ndërhyrjen e nevojshme.
Rasti i parë – U dha ndihmë në plazhin e Palasës, ku një çift turistësh që po lundronin me kanoe, u gjendën në vështirësi për shkak të dallgëve. Shërbimet e Njësisë Policore Detare ndërhynë menjëherë dhe i shoqëruan në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
Rasti i dytë – U dha ndihmë në Qeparo, ku 14 turistë që ndodheshin në disa kanoe rrezikuan jetën për shkak të motit të keq dhe erës së fortë. Policia Kufitare ndërhyri me mjetet e saj lundruese dhe bëri të mundur shpëtimin dhe shoqërimin e të gjithë turistëve në breg, pa probleme për shëndetin e tyre. Rasti i tretë – U dha ndihmë në plazhin e Drimadhes, ku një shtetase që po qëndronte në një komerdare, si pasojë e erës së fortë ishte larguar rreth 4 milje nga bregu. Pas lokalizimit të saj, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi bënë të mundur shoqërimin në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionalizmit të strukturave të Policisë Kufitare u shmangën pasojat e mundshme për jetën e pushuesve, të cilët shprehën mirënjohje për ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve dhe fton qytetarët që në çdo rast emergjence, të telefonojnë menjëherë në numrin 112.