FJALA E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT ARDI VELIU, ME RASTIN E 2-VJETORIT TË NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES ME MISIONIN E ROJËS BREGDETARE DHE KUFIRIT EVROPIAN
I nderuar zoti ministër i Brendshëm,
I nderuar zoti ambasador Soreca,
I nderuar zoti Zoltan Nagy,
Kam kënaqësinë të jem këtu, me rastin e 2-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Operacional ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian (FRONTEX).
Dy vjet më parë, Policia e Shtetit filloi një fazë të re bashkëpunimi konkret me FRONTEX-in, si vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nënshkroi me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Statusit për operacionet e FRONTEX-it në vendin tonë.
Që prej fillimit të zbatimit të kësaj Marrëveshje e deri më sot, bashkëpunimi dypalësh i Policisë së Shtetit me FRONTEX-it ka shënuar arritje dhe, pa dyshim, këtë bashkëpunim mund ta konsiderojmë si histori suksesi.
Impakti i këtij bashkëpunimi, në kontrollin e kufirit me Greqinë është dukshëm i lartë. Rreth 90% e imigrantëve të parregullt që kanë synuar hyrjen në vendin tonë, janë kapur në korridoret e kufirit në zonën operacionale, ndërkohë që para fillimit të këtij operacioni, jo më shumë se 30% e tyre, kapeshin gjatë korridoreve hyrëse në kufirin e gjelbër.
Bashkëpunimi në kryerjen e operacioneve me FRONTEX-in ka rritur ndjeshëm edhe efiçencën në shkëmbimin e informacionit, që ka rezultuar me goditje të suksesshme të shumë grupeve kriminale të përfshira në kontrabandimin e imigrantëve dhe në trafiqe të paligjshme.
Operacioni ka kontribuar gjerësisht edhe në rritjen e numrit të evidentimit të disa veprave të tjera penale, njëkohësisht dhe identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre.
Përveç sa më lart, Operacioni ka ndikuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit me FRONTEX-in, por edhe me vendet e tjera anëtare.
Ndërkohë, operacionet e përbashkëta kanë shërbyer si një mbështetje e rëndësishme në identifikimin e rreziqeve dhe kërcënimeve për sigurinë kufitare, si dhe një mundësi e artë për rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimeve të Policisë Kufitare, nëpërmjet shkëmbimit të praktikave më të mira dhe shfrytëzimit të eksperiencave të oficerëve të FRONTEX-it.
Që prej fillimit të operacionit e deri sot, FRONTEX-i përfshiu në operacione 1308 punonjës policie dhe ka bashkëfinancuar angazhimin në operacion të 578 rojeve kufitare shqiptare për çdo periudhë operacionale.
Përveç burimeve njerëzore, FRONTEX dhe vendet anëtare kanë përfshirë në operacion edhe mjete patrullimi, pajisje dhe sisteme të avancuara për mbikëqyrjen e kufirit.
Numri i imigrantëve të parregullt të kapur në kuadër të operacionit është rritur rreth 6 herë më shumë, krahasuar me periudhën e mëparshme. E thënë ndryshe, ndërsa numri i imigrantëve të parregullt të kapur në vendin tonë, gjatë periudhës 2-vjeçare të operacionit është rritur 93%, numri i atyre të kapur në zonën e operacionit është rritur 6 herë.
Bazuar në sukseset e evidentuara, në muajin mars të këtij viti, Operacioni u zgjerua dhe u shtri gjithashtu edhe në kufirin blu, ku edhe në këtë drejtim, arritjet e deritanishme janë të dukshme dhe konkrete.
Policia e Shtetit vlerëson se kjo Marrëveshje Bashkëpunimi ka dhënë rezultate të kënaqshme në rritjen e sigurisë së kufijve, në parandalimin e kapjen e imigrantëve të paligjshëm, si dhe në parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme.
Kjo na forcon bindjen se Marrëveshja do të zbatohet me sukses edhe në të ardhmen, gjë e cila pa dyshim do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme për rritjen e sigurisë së kufijve tanë.
Duke përfunduar, dëshiroj të shpreh edhe në emër të Policisë së Shtetit, vlerësimin maksimal për angazhimin dhe kryerjen e operacioneve të suksesshme të FRONTEX-it dhe të strukturave tona.
Këto operacione të përbashkëta janë një mbështetje, por do të shërbejnë edhe si një eksperiencë e vyer për rritjen e sigurisë së kufijve, si dhe për reduktimin e goditjen e krimeve ndërkufitare.
Faleminderit!