Operacioni nga Komisariatit i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me prokurorinë, pas një hetimi dymujor.
Zbardhen djegiet e dy automjeteve.
Vihen në pranga 2 autorët, me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa ngjarje të tjera.
Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë të mundur zbardhjen e dy ngjarjeve, djegie automjetesh, njëri prej të cilëve ishte në pronësi të një punonjësi policie, të ndodhura në muajin dhjetor 2019 dhe në muajin janar 2020.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit dymujor dhe pas një pune të mirëorganizuar nga ana e strukturave të Komisariatit te Policisë Elbasan, u finalizua operacioni policor i koduar “Zjarrvënësit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
•G. H., 31 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për plagosje.
•B. R., 20 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta persona janë autorë të dy ngjarjeve kriminale të djegieve të automjeteve në qytetin e Elbasanit, konkretisht:
– Më datë 24.12.2019, rreth orës 21:50, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht në pjesën e përparme, mjeti tip “Benz”, në përdorim nga shtetasi K. K.
– Më datë 09.01.2020, rreth orës 00:10, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Pasat”, në pronësi të shtetasit E. Gj.
Po nga informacionet e marra dyshohet se shtetasit G. H. dhe B. R., në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer djegie të automjeteve, në qytetin e Elbasanit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Shkatërrimi i pronës me zjarr ”, kryer në bashkëpunim.