DVP Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjalizimi”, si rezultat i informacioneve të siguruara nga Policia, se një shtetas po transportonte sasi të konsiderueshme cannabisi.
Sekuestrohen 5 thasë me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 26 kilogramë.
Vihet në pranga 42-vjeçari të cilit iu gjetën thasët me cannabis, në bagazhin e automjetit tip “Benz” që drejtonte.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për një shtetas që po transportonte cannabis, si dhe në vijim të goditjeve të Policisë, ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, është finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjalizimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, në fshatin Ishëm, kanë ndaluar për kontrolle automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin M. K. Gjatë kontrolleve, në bagazhin e këtij automjeti, u gjetën 5 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 26 kilogramë, sasi e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 42 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.