Durrës
Në kuadër të bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, vijon zbatimi i programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, i cili ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e nxënësve për çështje që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
♀️ Në vijim të këtij programi, ndihmësspecialistët për Edukimin dhe Sigurinë në Shkolla të DVP Durrës, në bashkëpunim me punonjës të shërbimit psikosocial dhe oficerët e sigurisë, zhvilluan takim me nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Abedin Dino”, “Bajram Curri” dhe “14-Nëntori”, me temë “Siguria në rrugë”.
Gjatë takimit, nxënësit u njohën me rregullat e qarkullimit rrugor, rëndësinë e respektimit të tyre, si dhe me risqet, me pasojat administrative dhe ato penale që vijnë nga mosrespektimi i rregullave të sigurisë në rrugë.
Për përcjelljen e mesazheve ndërgjegjësuese u përdorën video, materiale ilustruese me informacion të dobishëm për sigurinë rrugore.
Nxënësit treguan interes të lartë dhe morën pjesë aktive në diskutime, duke bërë pyetje dhe duke ndarë përvojat e tyre.
Aktivitetet ndërgjegjësuese do të vijojnë edhe në shkolla të tjera të qarkut Durrës, me qëllim rritjen e sigurisë dhe edukimit të të rinjve.


