Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin E. P., 33 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin, me dokumente të falsifikuara.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 21 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga shitja e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh bënë ndalimin e shtetasit F. D., 33 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit:
-S. K., 37 vjeç, E. A., 33 vjeç, Xh. D., 25 vjeç dhe B. D., 55 vjeç, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.