Durrës – Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, procedohet penalisht 38-vjeçari

Durrës

Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, procedohet penalisht 38-vjeçari.

Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ndaluar në rrugën “Pavarësia”, drejtuesin e një autobusi që po përdorte celularin ndërkohë që ishte në lëvizje. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para, punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative për shkeljen e kryer.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 38 vjeç, banues në Gjakovë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.