Durrës
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohen 2 hapësira në plazhin e Currilave, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 27 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 2 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 1, në dy hapësira publike në plazhin e Currilave, u hoqën dhe u sekuestruan 27 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 2 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. H., 45 vjeç, dhe E. Sh., 33 vjeç, të dy banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.