Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin K. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një përforcues grushti, disa fishekë dhe një pistoletë çakmak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin R. Gj. alias R. S., 46 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij, shtetases M. P., 32 vjeçe, banuese në Lezhë. Shtetasja M. P. u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit në banesën e 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një sasi municioni luftarak. Punohet për kapjen e këtij shtetasi.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 30 vjeç, banues në Milot, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprime të mëtejshme.