Policia e Shtetit, një trajektore tejshekullore, me pikënisje të përbashkët me kombin, mëkuar me gjakun e dëshmorëve, me shpresën kah idealet rinore, herë në festë suksesesh, herë në refleksion për disfatat, ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht, garancia që Shqipëria i jep kujtdo si fletë nderi në tokën amë.
Në ecurinë e saj, Policia shqiptare ka kaluar herë në kulme arritjesh dhe herë të tjera gati në shuarje, por gjithsesi në ecje, pa shkëputje.
Funksionimi i saj ishte nevojë jetike e shtetit por edhe kërkesë e qytetarëve, sepse në thelbin e misionit të saj ka qenë kurdoherë shërbimi ndaj shtetit dhe komunitetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë e vendit dhe për të zbatuar ligjet.
Organizimi fillestar i Policisë u bë në bazë drejtorie, me qendër në Vlorë, e drejtuar fillimisht nga gjakovari Halim Gostivari dhe më pas nga tepelenasi Fehmi Mezhgorani.
Në vitet 1919-1920, qeveria vlerësoi rëndësinë e Policisë dhe organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore, duke u dhënë kompetenca nënprefekturave dhe prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë vendore u shtrinë në 14 nënprefektura, me efektivë: 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë, dhe këto struktura u emërtuan “Komiseri”.
Në vitin 1921, roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm aftësimit për kryerjen e veprimeve procedurale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz të tyre, në një raport në çdo 2 javë.
Kontrolli i territorit vlerësohej detyrë e rëndësishme dhe me metodën e policimit, u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve.
Në vitin 1927 dhe 1928 kemi përpjekje për organizimin e Policisë sipas modelit italian dhe në zbatim të ligjit “Për administratën civile”, u synua dhënia e të gjitha kompetencave prefektit, për kontrollin e Policisë.
Periudha 1939-1944 ishte nën peshën e Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë kësaj periudhe, Policia ishte kryesisht strukturë e qetësisë në rrethanat specifike që sjell lufta.
Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur të Policisë në Shqipëri, në varësi të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë.
Kjo Polici ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të Policisë italiane dhe të shumë funksionarëve të tjerë italianë.
Në maj 1945 mori jetë dokumenti zyrtar për organizimin e ri të Policisë, me anë të të cilit u riorganizuan strukturat ushtarake të komandave të qarqeve, dhe u krijua Policia Popullore.
Policia Popullore ishte strukturë e MPB-së, varej nga Drejtoria e saj dhe në periudhën 1946-1948, limiti organik ka variuar nga 2286 deri në 3766 punonjës.
Deri në vitin 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë përafërsisht në këto shifra, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë, aq sa në vitin 1991 shifra e punonjësve të rendit dhe të qetësisë arriti në 21 000 punonjës.
Në fillim të këtyre viteve kanë zanafillën krijimi i strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të shumta të sigurisë për VIP-at dhe sidomos rritja e numrit të punonjësve të Policisë Kufitare.
Viti 1992 e në vijim, u shoqërua me reformimim e strukturave, personelit, standardeve të policimit dhe përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës.
Prej vitit 1991 e deri sot, Policia e Shtetit ka pësuar një transformim të madh, ligjor strukturor dhe arsimor.
Historikisht Policia shqiptare ka pasur këshillime nga ekspertët e huaj dhe në historinë e saj kanë shënuar emrin shumë specialistë të cilët kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit dhe të misionit civil të Policisë, si dhe në europianizimin e normave juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin dhe mbrojtjen e të drejtave e lirive të individit.
Nëse bëjmë bilancin e periudhës së rrugëtimit 110-vjeçar të Policisë shqiptare, së pari kemi obligimin moral dhe shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti, para varreve të shenjta, lapidarëve dhe memorialëve të punonjësve të Policisë, të rënë në detyrë, në emër të sakrificës sublime për përmbushjen e misionit ligjor, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike në vend.
Së dyti, të nderojmë dhe të vlerësojmë të gjithë pjesëtarët e ndershëm dhe të përkushtuar të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementet kriminale, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve dhe në kushte të pafavorshme të punës dhe jetesës, por me bindjen e brendshme dhe me pasionin e lartë, për t’i shërbyer me vigjilencë e rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre, dhe garantimit të së ardhmes së qetë në vend.
Policia shqiptare ka vite që është krahas policive moderne europiane, vepron e barabartë në frontin e përbashkët kundër krimit.
Si asnjëherë më parë, sot Policia shqiptare, është e inkurajuar dhe e mbështuar nga partnerët ndërkombëtarë, është në bashkëpunim të ngushtë me shumë institucionet ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, dhe ka standarde e kapacitete të mjaftueshme për të realizuar mjeshtërisht metodat e hetimit, disponon teknologjinë e informacionit dhe aplikon sistemet bashkëkohore përkatëse.
Policia shqiptare ka merituar më shumë se 3 tituj nderi në 110 vjet rrugëtim, për angazhimin, përkushtimin, sakrificën, përballjen me krimin deri në mbrojtje të jetës me jetë, dhe për triumfet mbi vështirësitë e gjithanshme, duke shpalosur vlera profesionale, vlera njerëzore dhe duke fituar falënderimet e përzemërta të qytetarëve.
Në këtë 110-vjetor, 2 struktura shumë të rëndësishme të Policisë së Shtetit marrin medalje “Për Veprim Profesional”, konkretisht Instituti i Policisë Shkencore dhe Interpol Tirana.
Nga viti në vit, misioni i Policisë së Shtetit, qendra e aspiratave, dëshirave dhe synimeve të mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, është ktheyr në një mision të pakohë që përbën arterien kryesore të funksionimit të shtetit, çdo ditë të çdo viti.
Edhe sot, njësoj si dje, njësoj si nesër, punonjësit e Policisë janë në çdo skaj të vendit; në portat hyrëse, për t’ju përcjellë mikpritje dhe besueshmëri; në çdo aks rrugor, për të garantuar që ju të udhëtoni të sigurtë e për t’ju orientuar që së bashku, të kontribuojmë për sigurinë rrugore; në shkolla, që në tempullin e dijes të mbretërojë libri dhe të lulëzojë dija; në çdo arterie të jetës, si bashkatdhetarë, si miq dhe si familjarë, për të bashkëbiseduar për qëllimet për të ardhmen dhe për të bashkëndarë dëshirat për prosperitet, siguri dhe mirëqenie.
11 dekada kanë qenë plot sfida dhe arritje dhe na kanë dhënë mundësinë që si njerëz dhe si profesionistë, të ridimensionohemi, të shohim e të bëjmë përpara, si dhe të nxjerrim mesime dhe refleksione që do e bëjnë rrugëtimin tonë më intensiv dhe më të sigurtë, më të besueshëm në drejtim të bashkëpunimit me qytetarët dhe me partnerët.
Tashmë, Policia është e pajisur me logjistikën bashkëkohore, të përbërë nga automjete, uniforma dhe ambiente të reja, e mirëtrajnuar dhe më profesionale, për të krijuar kështu, një impakt përditë e më pozitiv, te qytetarët dhe te partnerët.
Me mbështetjen dhe besimin e qytetarëve, Policia e Shtetit do të jetë më e motivuar për të përmbushur misionet e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe lirisë së qytetarëve, garantimin e një ambienti social sa më të sigurtë për qytetarët, bizneset, vizitorët dhe turistët, por mbi të gjitha për fëmijët tanë që janë e ardhmja e vendit.
Ta gëzojmë 110-vjetorin e Policisë së Shtetit, dhe festofshim sa më shumë arritje e suksese, në luftë ndaj krimit, për të mirën e përbashkët!