Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Drejtues i Lartë Albert Dervishaj mori pjesë në ceremoninë e hapjes së projektit ‘‘Stop Drogës-Rini e Shëndetshme”.
Fjala e tij gjatë aktivitetit: “Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, arsimore, nxënës dhe pjesëmarrës,
E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së projektit “Stop Drogës-Rini e Shëndetshme“, një projekt i financuar nga Kongresi Rinor Shqiptar, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, në kuadër të Programit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022“. Më lejoni të sjell edhe përshëndetjet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Nano, i cili për shkak të axhendës e kishte të pamundur të ishte sot këtu.
Policia e Shtetit aktualisht ka një synim strategjik për krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë për shoqërinë shqiptare, të cilin synon ta realizojë përmes vizionit të saj “Së bashku për një komunitet më të sigurt”. Prioritetet që PSH ka përcaktuar në zbërthim të qëllimit strategjik, për të cilat strukturat tona punojnë ditë dhe natë, kanë në fokus përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke e bërë Shqipërinë një vend të dëshirueshëm për të punuar dhe jetuar, sidomos për të rinjtë. Ky vizion është i lidhur ngushtë me zbatimin e filozofisë së Policimit në Komunitet.
Gjatë më shumë se dy dekadave, Policia e Shtetit e ndryshoi qasjen e saj duke përqafuar dhe implementuar këtë filozofi, e cila në thelb synon të reduktojë krimin dhe frikën, të mbrojë qytetarët dhe veçanërisht fëmijët e të rinjtë, duke zgjidhur konfliktet dhe situatat e ndryshme kriminale me profesionalizëm, por duke bërë bashkë strukturat e sigurisë me komunitetin dhe institucionet për sigurinë publike.
Politikat e zhvillimit të kësaj filozofie kërkojnë ndryshim institucional së pari të mentalitetit dhe të qasjes sonë, që do të thotë organizim dhe drejtim të ndryshimit të veprimit nga ai i reagimit policor pas ngjarjes, në atë të veprimit “proaktiv”, i cili nënkupton evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve së bashku me komunitetin, qeverisjen vendore, shoqërinë civile dhe sipërmarrjen e lirë. Policimi i efektshëm duhet të bazohet tek bashkëpunimi i mirë dhe besimi midis Policisë dhe publikut.
Megjithëse policimi në komunitet fokusohet në parandalimin apo luftimin e një game të gjerë problemesh dhe trajton të gjitha segmentet e komunitetit, padyshim që në fokus të saj ka edhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Jo vetëm edukimi kundër drogës, por edhe ato mbi sigurinë rrugore, krimin kibernetik, mbajtjen e armëve të zjarrit apo atyre të ftohta, përballjen me dhunën apo forma të tjera të sjelljes së papranueshme padyshim që ndikojnë në uljen e krimit dhe viktimizimin mes të rinjve.
Vëmendja ndaj edukimit të të rinjve, e cila kërkon një qasje të përshtatur, ka gjetur pasqyrim jo vetëm në aktet kryesore të PSH por dhe në transformimin organizativ dhe kulturor të organizatës policore. Për të realizuar misionin e saj PSH, jo vetëm ka hartuar strategji dhe plane veprimi, por ka qenë dhe është pjesë e programeve të ndryshme të organizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, institucione, organizata të ndryshme dhe partnerë ndërkombëtarë, duke ndërmarrë një sërë fushatash sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese.
CILAT JANË DISA NGA AKTIVITETET TONA NË KËTË DREJTIM, T Ë CILAT MENDOJ SE DUHET T Ë ALTERNOHEN EDHE ME PROJEKTIN QË PREZANTOHET SOT:
Policimi në komunitet nëpërmjet edukimit të të rinjve, në fushatat ndërgjegjësuese.
Në kuadër të zhvillimit të këtyre fushatave, PSH zbaton programin “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme”, në shkollat 9-vjeçare. Kjo iniciativë ka filluar që në nëntor të vitit 2009 në DVP Tiranë, program i inicuar dhe mbështetur nga programi ICITAP.
Zbatimi i këtij programi erdhi si domosdoshmëri, pas vlerësimit të situatës së përdoruesve të drogave në Tiranë dhe synon në përgatitjen dhe formimin e fëmijëve të moshave 12-13 vjeçare (një pjesë që janë sot në këtë takim besoj e kanë marrë këtë trajnim), të cilët kur të përballen vetë apo miqtë e tyre me fenomenet negative të duhanit, alkoolit, marijuanës etj., të jenë në gjendje t`i thonë në mënyrë të vendosur “Jo drogave dhe substancave të tjera të rrezikshme”. Programi përfshin trajtimin e tre temave mësimore: alkoolit, duhanit dhe marijuanës, vazhdon me konkurset e vizatimeve, ku nxënësit shprehin idetë për duhanin, alkoolin dhe marijuanën dhe mbyllet me organizimin e një kampusi ku marrrin pjesë nxënësit me vizatimet më të mira.
Gjatë vitit 2021 janë realizuar rreth 400 takime sensibilizuese ku kanë marrë pjesë edhe drejtues të institucioneve të tjera shtetërore në nivel qendror dhe vendor, drejtues, përfaqësues dhe nxënës të shkollave etj.
Ndryshimet organizative të ndërmarra nga PSH, me fokusin tek nxënësit e shkollave si një target-grup i rëndësishëm.
Në vitin 2020, në Policinë e Shtetit, është krijuar një një strukturë me një funksion të veçantë organik, specialist për edukimin dhe punën me të rinjtë, me qëllim edukimin e nxënësve me rregullat bazë të qarkullimit rrugor, efektet negative të përdorimit të alkoolit, duhanit, drogës, rrezikut nga armët apo fenomene të tjera dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë me nxënësit dhe stafin mësimor, në funksion të parandalimit të përfshirjes së të rinjve në veprimtari kriminale dhe rritjes së sigurisë në institucionet arsimore.
Krijimi i këtij funksioni të veçantë organik të NSPK për edukimin dhe punën me të rinjtë ka përmirësuar dukshëm zbatimin e fushatave sensibilizuese nga PSH, në zbatim edhe të Strategjisë së Komunikimit, duke zhvilluar tre fushata kryesore të ndërgjegjësimit në shkolla:
1. Droga, alkooli dhe duhani,
2. Siguria rrugore dhe rreziku nga armët,
3. Siguria në shkollë, duke përfshirë bullizmin në përgjithësi dhe atë kibernetik në veçanti.
Aktualisht kemi rreth 60 funksione të tilla të trajnuar mbi aftësitë e komunikimit, prezantimit dhe përgatitjen e fushatave të ardhshme, nga Programi suedez “Forcimi i Policimit në Komunitet Shqipëri” (SCPA), i cili i pajisi NSPK/SPZ me 40 laptopë dhe 40 projektorë, për të rritur potencialin e tyre të prezantimit të temave.
Po kështu, për të evidentuar dhe parandaluar që në hapat e para rrezikun ndaj radikalizimit dhe ekstremizmin e dhunshëm, janë trajnuar të gjithë shefat e Seksionit të Policimit në Komunitet nga Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me mbështetjen e programit ICITAP dhe OSBE-së. Gjithashtu, janë zhvilluar 13 trajnime një ditore me strukturat vendore të policimit në komunitet (645 OPK/SPZ). Edhe në këtë drejtim duhet të kemi parasysh se askush nuk lind i dhunshëm, njerëz të veçantë instrumentalizohen dhe ushqehen me këtë frymë. Prandaj lufta kundër radikalizimit duhet të fillojë me njohjen e të drejtave të njeriut, shtetin e së drejtës, për të fuqizuar të rinjtë, duke e filluar këtë proces që në bankat e shkollës.
Në zbatim të Marrëveshjes së përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, gjatë vitit 2021 janë zhvilluar tema mësimore në 860 shkolla 9-vjeçare (802 shkolla publike dhe 58 shkolla jo publike), nga ndihmësspecialistët e policimit në komunitet në komisariatet e policisë, në lidhje me efektet negative të përdorimit të lëndëve narkotike, me përfitues rreth 23.000 nxënës.
Bashkëpunimi dhe forcimi i partneritetit.
Në vitin 2019, qeveria, me vendimin nr. 600, miratoi një funksion të rëndësishëm, atë të Oficerit të Sigurisë në 150 shkolla të mesme të vendit. Me siguri sot duhet të kemi 10 prej tyre sipas shkollave që përfshin projekti “Stop Drogës-Rini e Shëndetshme“ Sikurse e dimë ky funksion është pjesë e strukturës organike të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e shtrirë sipas Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar apo ZVA, por pjesë integrale dhe bashkëpunuese e Drejtorisë së Shkollës dhe strukturave ndihmëse të saj, me të cilët oficerët tanë të policimit në komunitet të zonës, mbajnë kontakte të afërta bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit që ka të bëjë me garantimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafin në shkollë dhe përreth saj. Përfshirja e oficerit të sigurisë në shkollë synon rritjen e sigurisë, përmes mbështetjes dhe ndërveprimit me të gjithë aktorët e shkollës. Qëllimi i krijimit të kësaj strukture nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi, edukimi dhe ofrimi i mbështetjes mbi problematikat e sigurisë që nxënësit mund të hasin në ambientet e shkollës.
Në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Oficerët e Sigurisë të shkollave të mesme janë trajnuar dhe certifikuar në Akademinë e Sigurisë. Gjithashtu, me mbështetjen e programit “Forcimi i Policimit në Komunitet Shqipëri” (SPCA), u trajnuan rreth 190 Oficerë të Sigurisë dhe Psikologë në shkolla, mbi të njëjtat module të fushatave sensibilizuese.
Policia e Shtetit synon të forcojë në të ardhmen policimin në komunitetet nëpërmjet edukimit.
Shkollat janë një mjedis ideal për zhvillimin e programeve parandaluese të drogave. Jo vetëm që ato arrijnë sistematikisht një pjesë të madhe të minorenëve dhe të rinjve, por implementimi i tyre mundëson në mënyrë veçanërisht origjinale dhe të asimilueshme edukimin dhe informimin e tyre mbi fenomenin e drogës. Ato edukojnë tek nxënësit aftësitë përballuese të tundimit të drogave dhe të presionit.
Megjithë rëndësinë dhe rolin e veçantë të edukatës prindërore ndaj drogave, duhet të jemi të vetëdijshën për faktin se shkollat mund të ofrojnë programe shumë më gjithëpërfshirëse dhe të formatuara për këtë qëllim. Integrimi i këtyre lloj programeve në kurrikulat është një tranzicion praktik dhe i çmueshëm, pasi siguron një indoktrinim të plotë mbi rreziqet nga përdorimi i substancave për një gamë të gjerë nxënësish të moshave vulnerabël.
Shqetësues është fakti që një numër jo të pakonsiderueshëm të rinjsh por edhe minorenësh luftojnë me abuzimin e drogës fatkeqësisht pa u vënë re, me rrjedhoja të zhvillimit të ciklit të varësisë. Ka disa që besojnë se brezi i ri është vetëm “eksperimentues”, por kjo shpesh shndërrohet në abuzim dhe varësi afatgjatë kur nuk kapet dhe minimizohet herët. Edukimi dhe parandalimi i varësisë jo vetëm që mund të ndalojë që fëmijët të bien viktima e sjelljeve pro drogave, por gjithashtu mund t’i ndihmojë ata që janë tashmë viktima të përdorimit, të kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme trajtuese ose të ndalojnë përdorimin.
Në Strategjinë Ndërsektoriale të Sigurisë në Komunitet 2021-2026 dhe planin e veprimit 2021-2023, një ndër masat e parashikuara është “Parandalimi nëpërmjet edukimit” (masa 5).
Parandalimi i krimeve është një detyrim që duhet filluar që në shkolla që të rinjtë të përballojnë botën e krimit dhe të jenë të informuar. Ata duhet të jenë të aftë që të zgjedhin një mënyrë të mirë jetese. Duhet të bëjmë shumë më tepër për të parandaluar krimet dhe t’i lejojmë fëmijët që të rriten me mundësi të mira jetese, për një të ardhme të ndritur për veten e tyre dhe vendin.
Duke përfunduar me lejoni t’i uroj suksese Projektit “Stop Drogës-Rini e Shëndetëshme“, i cili sot hap siparin e tij, por edhe ju që jeni pjesë e këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe të shpresojmë që me aktivitetet e prezantuara sot, në fund të dhjetorit, në konferencën përmbyllëse, të prekim rezultatet e zbatimit të tij.
Ju siguroj se ndihmën, mbështetjen dhe të gjithë aktivitetin e Institucionit të Policisë së Shtetit, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të Drejtorit të Policisë Tiranë, do ta keni në mënyrë permanente.
Gjithashtu rol të rëndësishëm do të ketë edhe pika e kontaktit që është caktuar nga Drejtori i Përgjithshëm, me qëllim koordinimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara sipas kalendarit, që në fakt nuk realizon vetëm projektin në tërësi, por është një kontribut më shumë në drejtim të parandalimit të fenomeneve negative të përdorimit të drogës, alkoolit, mbajtjes së armëve nga të rinjtë dhe në fund të fundit një proces që kontribuon në drejtim të rritjes së sigurisë së të gjithë komunitetit.
Faleminderit dhe suksese“!