Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të SELEC

Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të SELEC – Qendra për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore.

Qëllimi i takimit, diskutimi për rritjen e shkëmbimit të informacioneve mes vendeve anëtare dhe takimeve operacionale, për të goditur sa më shumë raste të krimeve ndërkufitare.

Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm fillimisht ka falënderuar drejtorin e SELEC-ut, Oğuz Serkant Akın, për mbështetjen logjistike që kjo organizatë i jep punonjësve të Policisë së Shtetit, në zhvillimin e aktiviteteve, siç janë takimet operacionale me autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare të SELEC-ut, bashkëpunim i cili zhvillohet nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta të punonjësve të këtyre agjencive.

Gjithashtu, e ka falënderuar për vlerësimin, certifikatat dhe çmimet e dhëna ndër vite, për oficerët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë zhvilluar dhe përfunduar me sukses operacione të ndryshme kundër krimeve ndërkufitare, si trafikimi i lëndëve narkotike, trafikimi i mjeteve motorike etj.

Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar rolin e oficerit të kontaktit të Shqipërisë, në SELEC, z. Petrit Milkurti, i cili nëpërmjet sistemit të kësaj organizate, ka mundësinë të shkëmbejë informacione në kohë reale me autoritetet ligjzbatuese të 11 vendeve anëtare dhe 7 organizatave partnere.

Drejtori i Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore- SELEC ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe punën profesionale të oficerit të kontaktit të Shqipërisë, i cili gjatë vitit 2023, ka organizuar disa takime të përbashkëta operacionale, njëri prej të cilëve është zhvilluar disa ditë më parë, në Shqipëri.

Të dy drejtuesit diskutuan për të rritur bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe të takimeve operacionale, me synimin për të përmirësuar luftën kundër të gjitha formave të krimeve ndërkufitare, përfshirë krimet e rënda dhe atë të organizuar, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin në Europën Juglindore, të cilat janë fokuse të punës së Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore – SELEC.