Akademia e Sigurisë/5 Maj, përkujtohen Dëshmorët e Policisë

Akademia e Sigurisë/5 Maj, zhvillohet ceremonia për përkujtimin e Dëshmorëve të Atdheut.

Paraditen e sotme, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, u zhvillua ceremonia përkujtimore, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për Dëshmorët e Atdheut.

Në këtë ceremoni morën pjesë Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, zv.ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, përfaqësues të misioneve policore dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë, u inaugurua Memoriali i ri i Dëshmorëve të Policisë, me emërtimin “NDERIM TË PËRJETSHËM AKTIT SUBLIM TË DËSHMORËVE TË POLICISË SË SHTETIT.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano:
“Përgjatë viteve që përbëjnë jetët e secilit prej nesh, ne nderojmë çdo vit, ditët që i kushtohen besimit, nënave, etërve dhe fëmijëve. Edhe në këtë ritual të gjithëkohshëm, i cili i jep kuptim jetës, një ditë iu atribuohet pikërisht atyre, dëshmorëve, heronjve që nuk u krijuan nga legjendat, por nga jeta reale, pikërisht nga koha që ndamë së bashku.

Rrethanat e papritura na diktuan që me ish-kolegët tanë, të cilët janë vlerësuar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, të mos takohemi më nëpër ambientet tona, në përditshmërinë dhe marrjen e ndarjen e detyrave, por pikërisht në sajë të këtij memoriali që po inaugurojmë në këtë datë të shënuar, ku i vendosi koha, të ngremë vështrimin lart e të shikojmë në trupin e tij emrat e heronjve tanë, të cilët ia shtojnë madhështinë dhe do t’i japin kuptim ndër breza.

Pelegrinazhit të përvitshëm që do të zhvillojmë çdo 5 Maj, sot iu shtua edhe ky memorial, i cili do të na bëjë bashkë si një familje që nderon dhe përkujton në çdo epokë bijtë e saj, ata që na deshën më shumë se jetën e tyre. Prandaj, bashkësia jonë është sa hyjnore aq edhe tokësore, sa e prekshme aq edhe e paarritshme.
Të gjithë ne, tashmë kemi rigjetur njëri-tjetrin dhe në këtë marrëdhënie nuk ishte vetëm rastësia apo thjesht fati, por përmbi çdo gjë, mbetet një simbol, një kujtim dhe reflektim për t’i dhënë së kaluarës, së tashmes dhe ardhmërisë, vlerën dhe rëndësinë e duhur, sepse të tria këto dimensione përfaqësojnë përjetësinë.

Para së gjithash, më lejoni t’ju them se e ndiej veten tepër të përmbushur sa i përket përpjekjeve të mia dhe të brezit tim, për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe.

Pas shumë vitesh shërbim në terren dhe në çdo koordinatë që na paracaktonte detyra, me përkushtim e sakrificën që buronte edhe nga modeli që njohëm tek pararendësit tanë, aspiratat tona u realizuan, jo pa dhimbje, lot gëzimi e derti.
Sot mund të pohoj me bindje të plotë se rruga për t’u rikthyer tek ky prag, ku nisëm rrugëtimin tonë drejt një prej profesioneve më të vështira, por edhe më të nderuara, nuk ka qenë aspak i lehtë për ata që luftuan denjësisht me rrezikun e pasigurinë kombëtare.

Njeriut në tërësinë e tij, i është atribuuar dhurata më e çmuar, kujtesa! Ai që nuk e hedh pas krahëve të kaluarën, di të hedhë i sigurtë hapat për të ardhmen e tij, të familjes dhe të vendit të cilit i përket.

Të nderuar të afërm, sot më shumë se në çdo rast tjetër, ju flas me sinqeritetin e një biri dhe të një vëllai, se sa shumë do të dëshiroja që këtë detyrë që më është ngarkuar, të mund ta përmbushja së bashku me ata, policët e rënë në pritën e kundërshtarit. Ata u ndanë nga kjo jetë tepër të rinj dhe sot do të ishin padyshim, kolonat më të fortifikuara ku do të bazohej puna e Policisë së Shtetit.

Për mua dhe për shumë të pranishëm në këtë veprimtari, akti më i lartë është kur gjithsekush, përgjatë shumë viteve, ndërton familjen e tij, jo vetëm atë biologjike, por atë që na përfaqëson më denjësisht.

Gjithsesi, kujtimi dhe vepra e tyre madhore ishte dhe mbetet shkolla më e papërsëritshme e edukimit për të gjitha gjeneratat, të cilat kanë mbushur dhe vijojnë të shtojnë radhët e forcave tona.

Institucioni ynë i përhapur dhe i konsoliduar në të gjithë tërësinë e vendit, mbetet edhe një portë e njohur për ju, e cila në çdo kohë apo rrethanë, do t’i njohë trokitjet tuaja dhe do të mundohet më të gjithë mjetet dhe potencialin që zotëron që të ndiheni si në vatrën tuaj dhe tek çdo punonjës i Policisë së Shtetit, të njihni njërin prej të afërmve tuaj.

Falënderimi ndaj jush nuk përbën vetëm një fjalë a gjest institucional, sepse tashmë është ndërtuar një politikë e qartë shtetërore, e cila ka për objekt përkrahjen, respektin dhe nderimin për atë ç’ka i dedikuat atdheut me dinjitet, ju dhe martirët që dolën, u rritën e u edukuan nga gjiri juaj i pashtershëm.

Ky memorial, i vendosur tashmë në këtë qendër të dijes dhe të formimit akademik, do të jetë shenja më e qartë dhe modeli më i çmuar për të gjithë ata studentë që do të dalin nga dyert e kësaj shkolle. Kjo sepse hija e këtij monumenti që do të bjerë çdo ditë mbi fytyrat e tyre, do t’i bëjnë të kuptojnë se sa përgjegjësi të lartë morale, qytetare e shtetërore ka gjithsekush prej atyre që ka vendosur të jetë pasardhës i veprës madhore të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Një falënderim të veçantë i përcjell kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erjon Veliaj dhe z. Agim Rada, Drejtor i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, për realizimin e kësaj vepër të rëndësishme që i shtohet sot memories kombëtare.

NDERIM TË PËRJETSHËM AKTIT SUBLIM TË DËSHMORËVE TË POLICISË SË SHTETIT.

Ju faleminderit!”