Vlorë

Ka nisur faza e tretë e programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, një nismë e përbashkët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve mbi sigurinë personale, sjelljen e përgjegjshme dhe mirëqenien e tyre.

Ndihmësspecialistët për Edukimin në Shkolla të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë zhvilluan takime ndërgjegjësuese me nxënësit e shkollës 9-vjeçare publike “Teli Ndini”.

Në fokus të takimeve ishin siguria rrugore, rëndësia e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, sjellja e sigurt si këmbësorë dhe si përdorues të mjeteve.

Nxënësit u njohën me situata konkrete nga përditshmëria dhe u orientuan mbi mënyrat e reagimit si përdorues të rrugës.

Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku nxënësit u përfshinë aktivisht, duke shfaqur interes të lartë, duke bërë pyetje dhe duke ndarë mendimet dhe eksperiencat e tyre mbi temat e trajtuara. Ky ndërveprim kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në ndërtimin e një kulture sigurie që në moshë të hershme.

Së bashku ndërtojmë një komunitet më të sigurt!

#SiguriaRrugore
#SiguriaETëRinjve
#PoliciaNëShkollë
#SëBashkuPërNjëKomunitetTëSigurt